Qendra për Nxënësit që Nuk Shikojnë mirëpriti Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Nicholas Abbott, znj. Mia Marzouk dhe anëtarë të tjerë të stafit të Ambasadës Britanike.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e ambasadës u informuan mbi veprimtarinë dhe shërbimet që ofron qendra, përfshirë programet arsimore, metodat alternative të mësimdhënies për fëmijët me dëmtime në shikim, si dhe pajisjet ndihmëse që përdoren në procesin edukativ.
Vizita përfshiu një prezantim të shkurtër mbi historikun dhe objektivat e institucionit, takime me personelin dhe një tur në ambientet e qendrës, përfshirë klasat dhe hapësirat ku zhvillohen aktivitetet mësimore dhe zhvillimore për nxënësit.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Ambasadës Britanike dhe institucionit tonë, në funksion të përmirësimit të kushteve arsimore për nxënësit me aftësi të kufizuara në të parë.
Qendra për Nxënësit që Nuk Shikojnë vlerëson interesimin dhe vizitën e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike dhe mbetet e hapur për bashkëpunime institucionale që synojnë fuqizimin e aksesit në arsim për të gjithë.